Sahihu i Buhariut — Hadithi 6500
37. Nënkapitulli: Përpjekja e njeriut për ta adhuruar Allahun
6500. Nga: Muadh ibn Xhebeli
Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka treguar Enes ibn Maliku se Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, duke qenë ulur mbrapa Pejgamberit ﷺ (në kafshë), saqë vetëm kaptelli i shalës na ndante, Pejgamberi ﷺ më tha: “O Muadh!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë.
Ecëm për pak kohë dhe sërish më tha: “O Muadh!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë.
Sërish, pak më tutje, më tha: “O Muadh ibn Xhebel!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë.
- “E di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?” - më pyeti.
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thashë.
- “E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj eci më tutje dhe sërish tha: “O Muadh ibn Xhebel!”
- Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut! - i thashë.
- “E di cila është e drejta e njerëzve tek Allahu, nëse ata e bëjnë këtë?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thashë.
- “E drejta e njerëzve tek Allahu është që të mos i dënojë ata”, - tha Pejgamberi ﷺ.”