Sahihu i Buhariut — Hadithi 6530
46. Nënkapitulli: Ajeti: “Dridhja e Kiametit është ngjarje e madhe.”
“U afrua ajo që është afër (Dita e Kiametit).” (Nexhm, 57) “U afrua Dita e Kiametit dhe u ça Hëna!” (Kamer, 1)
6530. Nga: Ebu Seid Hudriu
Jusuf ibn Musai më ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë:
- O Adem!
- Të përgjigjem me plot kënaqësi! Gjithë mirësia është në Duart e Tua, - thotë Ademi.
- Nxirre (ndaje nga pasardhësit e tu) grupin e Zjarrit, - i thotë Allahu.
- E cilët janë grupi i Zjarrit? - pyet Ademi.
- Në çdo një mijë, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë (janë banorë të Zjarrit), - i thotë Allahu Fuqiplotë. Atë ditë, edhe fëmija do të thinjet: “... Çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t'i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (Haxh, 2)
Kjo u erdhi rëndë atyre, andaj pyetën: “O i Dërguari i Allahut, e cili na qenka ai njeri (njëri prej atyre një mijë)?” Ai u tha: “Po ju përgëzoj se një mijë janë prej jexhuxhëve e mexhuxhëve, kurse një është prej jush. - Pastaj tha: - Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se shpresoj se ju do të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit.”
Ne e falënderuam Allahun dhe bëmë tekbir.
Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se shpresoj se ju do të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit. Ju (banorët e Xhenetit) në krahasim me umetet e tjera i shëmbëlleni një qimeje të bardhë në lëkurën e një kau të zi ose një vije në parakrahun e gomarit.”