Sahihu i Buhariut — Hadithi 6541

50. Nënkapitulli: Shtatëdhjetë mijë veta do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari

6541. Nga: Abdullah ibn Abasi

Imran ibn Mejsera na ka thënë: Na ka treguar Ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Husajni; [t]: Esid ibn Zejdi më ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e ky nga Husajni se ka thënë: Teksa isha te Seid ibn Xhubejri, më tregoi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “M'u shfaqën përpara popujt dhe ja, ndër ta një pejgamber, të cilin e pasonin një numër i madh njerëzish. Pastaj, një pejgamber tjetër, të cilin e pasonin një grup njerëzish; një pejgamber tjetër, me të cilin ecnin dhjetë pasues; një tjetër me pesë pasues; pastaj kaloi një pejgamber i vetmuar. Kur shikova tutje, pashë një turmë të madhe njerëzish, andaj pyeta: “O Xhibril, a janë këta pasuesit e mi?”
- Jo, por shiko në horizont, - më tha ai.
Kur, ç'të shoh! Një turmë shumë e madhe njerëzish! Pastaj më tha: “Ata janë umeti yt, shtatëdhjetë mijë në ballë të tyre, nuk do të ketë llogari e as dënim për ta.”
- Përse? - e pyeta.
- Ata janë njerëz që nuk e përdorin kurimin me kauterizim, nuk kërkojnë t'u bëhet rukje, nuk besojnë në ogure dhe i mbështeten vetëm Zotit të tyre.”
Atëherë Ukashe ibn Mihsani u ngrit dhe tha: “Lute Allahun të më bëjë prej tyre!” Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, bëje prej tyre!” Pas tij u ngrit edhe një tjetër dhe tha: “Lute Allahun të më bëjë prej tyre!” Por, Pejgamberi ﷺ i tha: “Ta kaloi Ukashe.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6541

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?