Sahihu i Buhariut — Hadithi 6571
51. Nënkapitulli: Përshkrimi i Xhenetit dhe Zjarrit
Ebu Seidi tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ushqimi i parë që do ta hanë banorët e Xhenetit është shtesa e mëlçisë së balenës.”
6571. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Abide se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë e di cili është banori i fundit që do të dalë prej Zjarrit, njëkohësisht banori i fundit që do të hyjë në Xhenet. Ai është një burrë që del prej Zjarrit duke u zvarritur, e në atë rast Allahu i thotë: “Shko dhe futu në Xhenet!” Kur shkon atje, i duket sikur është mbushur, andaj kthehet dhe thotë: “O Zot! E gjeta të mbushur!”
Allahu i thotë: “Shko dhe hyr në Xhenet, se ti do të kesh dhjetëfish sa dynjaja me çfarë ka në të, ose: do të kesh sa dhjetë herë dynjaja.” Ai thotë: “Po tallesh me mua?!” Ose: “Po bën shaka me mua, ndërkohë që Ti je Mbreti?”
Abdullah ibn Mesudi tregon: “E pashë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke qeshur, saqë iu dukën edhe dhëmballët.”
Transmetuesi thotë: “Thuhej: “Ky do të jetë banori me gradën më të ulët në Xhenet.”