Sahihu i Buhariut — Hadithi 6622
1. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që jeni betuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagimi për betimet tuaja kur i thyeni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu Allahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës."
6622. Nga: Abdurrahman ibn Semure
Ebu Numan Muhamed ibn Fadli na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Hazimi, e këtij i ka treguar Haseni se Abdurrahman ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i ka thënë: “O Abdurrahman ibn Semure, mos e kërko udhëheqjen, se, po t'u dha si shkak i kërkesës sate, do të jesh vetë përgjegjës për të. E, nëse të jepet pa e kërkuar, do të ndihmohesh. Nëse betohesh për diçka e pastaj sheh një zgjidhje më të mirë, shpaguaje betimin e bërë dhe punoje zgjidhjen më të mirë.”