Sahihu i Buhariut — Hadithi 6667

15. Nënkapitulli: Nëse e thyen betimin me harresë

Allahu i Lartësuar ka thënë: “... Nuk është mëkat për ju, nëse gaboni...” (Ahzab, 5) Po ashtu, Ai ka thënë: “Mos më qorto për atë që kam harruar...” (Kehf, 73)

6667. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Mensuri më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Omeri, e ky nga Seid ibn Ebu Seidi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë hyri në xhami dhe u fal, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ po rrinte në një skaj të xhamisë. Pasi e kreu, vajti dhe e përshëndeti Pejgamberin ﷺ me selam.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kthehu dhe falu sërish, se nuk u fale.”
Ai u kthye dhe u fal, pastaj vajti dhe e përshëndeti me selam Pejgamberin ﷺ, i cili sërish i tha: “Ve alejke (edhe mbi ty), kthehu e falu, se nuk u fale.”
Herën e tretë ai tha: “Më mëso (si të falem)!” Atëherë Pejgamberi ﷺ iu drejtua: “Kur të ngrihesh për namaz, merr abdes mirë, pastaj kthehu nga kibla dhe merr tekbir. Pastaj këndo prej Kuranit çka të vjen më lehtë. Pastaj bjer në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrije kokën (nga rukuja) derisa të drejtohesh mirë në këmbë, pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të drejtohesh e të qetësohesh. Pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh. Pastaj ngrihu (nga sexhdja) dhe qëndro ulur derisa të qetësohesh. Kështu vepro gjatë gjithë namazit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6667

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?