Sahihu i Buhariut — Hadithi 6671
15. Nënkapitulli: Nëse e thyen betimin me harresë
Allahu i Lartësuar ka thënë: “... Nuk është mëkat për ju, nëse gaboni...” (Ahzab, 5) Po ashtu, Ai ka thënë: “Mos më qorto për atë që kam harruar...” (Kehf, 73)
6671. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Is'hak ibn Ibrahimi më ka treguar: E kam dëgjuar Abdulaziz ibn Abdusamedin, e këtij i ka treguar Mensur ibn Ibrahimi, e ky nga Alkame se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, një ditë, Pejgamberi ﷺ ua fali namazin e drekës, ku kishte shtuar ose lënë mangët diçka prej namazit, - Mensuri ka thënë: “Nuk di nëse Ibrahimi e ka ngatërruar apo Alkame.” Dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A mos është shkurtuar namazi, apo ke harruar?”
- “Përse, vallë?” - pyeti ai.
- I fale kaq e kaq rekate, - i thanë të pranishmit.
Atëherë ai i bëri dy sexhde së bashku me ta, pastaj tha: “Këto dy sexhde janë për personin që nuk e di nëse ka shtuar apo ka lënë mangët diçka në namaz. I tilli le të përpiqet të gjejë të saktën dhe le ta plotësojë pjesën e mbetur të namazit, pastaj le t'i bëjë dy sexhde.”