Sahihu i Buhariut — Hadithi 6676

17. Nënkapitulli: Ajeti: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.”

Allahu i Madhëruar ka thënë: “E mos e bëni Allahun peng të betimeve tuaja (kur betoheni në Të), kur doni të bëni vepra të mira. Të silleni mirë dhe të bëni pajtim ndërmjet njerëzve. Allahu dëgjon dhe i di të gjitha.” (Bekare, 224) Ai ka thënë: “Mos e shitni besën e dhënë Allahut për një vlerë të paktë, pse atë që do ta keni tek Allahu është shumë e dobishme për ju nëse jeni që e dini.” (Nahl, 95) Po ashtu, Ai ka thënë: “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, Allahu e di se çka punoni.” (Nahl, 91)

6676. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që betohet me këmbëngulje rrejshëm në Allahun për t'i përvetësuar pasurinë një muslimani, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.” Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin, për të vërtetuar këtë, ku thuhet: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)

Referenca: Sahihu i Buhariut 6676

Hadithe të ngjashme: Shiko (22)

Fjalë të panjohura?