Sahihu i Buhariut — Hadithi 6677
17. Nënkapitulli: Ajeti: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.”
Allahu i Madhëruar ka thënë: “E mos e bëni Allahun peng të betimeve tuaja (kur betoheni në Të), kur doni të bëni vepra të mira. Të silleni mirë dhe të bëni pajtim ndërmjet njerëzve. Allahu dëgjon dhe i di të gjitha.” (Bekare, 224) Ai ka thënë: “Mos e shitni besën e dhënë Allahut për një vlerë të paktë, pse atë që do ta keni tek Allahu është shumë e dobishme për ju nëse jeni që e dini.” (Nahl, 95) Po ashtu, Ai ka thënë: “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, Allahu e di se çka punoni.” (Nahl, 91)
6677. Nga: Abdullah ibn Mesudi
(Në vazhdim të hadithit paraprak) Eshath ibn Kajsi erdhi dhe pyeti: “Çfarë hadithi ju ka transmetuar Ebu Abdurrahmani?” Ata thanë: “Kështu e kështu.” Ai tha: “Ky ajet ka zbritur për mua. Kisha një pus në tokën e një djali të xhaxhait tim (por, patëm një zënkë). Kur shkova te Pejgamberi ﷺ, më tha: “Sille dëshminë (për ta vërtetuar pronësinë tënde të pusit), ose ai le të betohet.”
- Por, o i Dërguari i Allahut, ai do të betohet! - i thashë.
- “Ai që betohet me këmbëngulje rrejshëm në Allahun për t'i përvetësuar pasurinë një muslimani, në Ditën e Kiametit do ta takojë Allahun të hidhëruar me të”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.”