Sahihu i Buhariut — Hadithi 6688
22. Nënkapitulli: Nëse betohet se nuk do të hajë ngjëratë, porse ha hurma me bukë, si dhe çfarë llogaritet ngjëratë
6688. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe transmeton nga Maliku, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Talhai i tha Umu Sulejmes: “E dëgjova të Dërguarin e Allahut ﷺ tek fliste me zë të dobët dhe vërejta se ishte i uritur, andaj a ke ndonjë ushqim?”
- Po, - tha ajo. Kështu, ajo nxori disa petulla elbi, nxori një pelerinë, me të cilën mbështolli bukën dhe më dërgoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ.
Kur shkova, Pejgamberin ﷺ e gjeta në xhami me disa burra të tjerë.
U ndala te Pejgamberi ﷺ dhe ai më tha:
- “A të ka dërguar Ebu Talhai?”
- Po, - i thashë.
- “Ngrihuni të shkojmë!” - u tha të pranishmëve dhe u nisën.
Unë zura të eci para tyre derisa arrita tek Ebu Talhai dhe i tregova për këtë.
Ebu Talhai tha: “Oj Umu Sulejme! Ka ardhur i Dërguari i Allahut ﷺ me disa njerëz, ndërkohë ne s'kemi me se t'i ushqejmë.” Ajo tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e dinë më së miri.”
Ebu Talhai doli ta takojë të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe të dy së bashku u futën në shtëpi. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Urdhëro, oj Umu Sulejme! Na sill çfarë ke!” Ajo solli po të njëjtën bukë. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi që ajo bukë të ndahej në copa të vogla, mbi të cilat Umu Sulejme shtrydhi ca yndyrë nga një shakull. Më pas, Pejgamberi ﷺ tha disa fjalë sipër ushqimit, aq sa deshi Allahu, dhe tha: “Jepu leje dhjetë personave (të hyjnë brenda)!” Ata u futën brenda, hëngrën derisa u ngopën dhe dolën. Pastaj, sërish Pejgamberi ﷺ tha: “Jepu leje dhjetë personave të tjerë (të hyjnë)!” Ata u futën brenda dhe kështu të gjithë hëngrën derisa u ngopën. Ata ishin rreth shtatëdhjetë-tetëdhjetë persona.”