Sahihu i Buhariut — Hadithi 6707
33. Nënkapitulli: A hyjnë në betim dhe në zotim toka, delet, bimët dhe gjësendet?
Ibn Omeri tregon se Omeri i ka thënë Pejgamberit ﷺ: "Kam marrë një tokë, kurrë nuk kam poseduar pasuri më të majme se ajo. - “Nëse do, lëre vakëf dhe (përfitimin nga ajo) jepe sadaka”, - i tha Pejgamberi ﷺ." Ebu Talhai i ka thënë Pejgamberit ﷺ: "Pasuria më e dashur për mua është kopshti Bejruha - aludoi në kopshtin e tij që ndodhej pranë xhamisë."
6707. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Thevr ibn Zejd Diliu, e ky nga Ebu Gajthi, i çrobëruari i Ibn Mutiut, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkuam me të Dërguarin e Allahut ﷺ Ditën e Hajberit (për të luftuar), ku, për plaçkë, nuk fituam as ar e as argjend, por pasuri, rroba dhe gjësende. Një pjesëtar i fisit benu dubejb, që quhej Rifa'a ibn Zejdi, i dhuroi të Dërguarit të Allahut ﷺ një rob, që quhej Midam. I Dërguari i Allahut ﷺ u drejtua nga lugina Kura dhe, me të arritur aty, teksa Midami po rregullonte shalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i erdhi një shigjetë qorre dhe e vrau. Dikush tha: “E gëzoftë Xhenetin!”
Por, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Assesi! Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se rroba të cilën e pati marrë nga plaçka e pashpërndarë e Hajberit do t'ia ndezë Zjarrin.” Me të dëgjuar këtë, një njeri vajti me një, - ose ka thënë: me dy, - rripa nallanesh te Pejgamberi ﷺ, i cili në atë rast i tha: “Një, - ose ka thënë: dy, - rripa prej Zjarri.”