Sahihu i Buhariut — Hadithi 6709
2. Nënkapitulli: Kur i obligohet shpagimi të pasurit dhe të varfrit?
Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu ju ka përcaktuar juve zgjidhjen e betimeve tuaja; Allahu është kujdestari juaj; Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti.” (Tahrim, 2)
6709. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky thotë se e ka dëgjuar nga goja e Zuhriut, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Jam shkatërruar.”
- “Çfarë ke?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me bashkëshorten në Ramazan (gjatë ditës), - iu përgjigj ai.
- “A ke mundësi të lirosh një rob?”
- Jo.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo.
- “Ulu, pra”, - i tha Pejgamberi ﷺ dhe ai u ul.
Rastisi që Pejgamberit ﷺ t'i sjellin një shportë të madhe me hurma, e në atë rast tha:
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë!”
- Ndonjë më të varfri se unë?! - pyeti burri në fjalë.
Pejgamberi ﷺ qeshi, saqë iu dukën dhëmballët, pastaj tha: “Ushqeje familjen tënde me të.”