Sahihu i Buhariut — Hadithi 6710
3. Nënkapitulli: Ai që i ndihmon të varfrit për shpagim
6710. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Mahbubi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Mameri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “Jam shkatërruar!”
- “Si ashtu, vallë?” - iu drejtua Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me bashkëshorten në Ramazan (gjatë ditës) - ia ktheu ai.
- “Ke ndonjë rob?”
- Jo - tha ai.
- “Mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo.
Atëherë, një burrë ensar, solli një shportë me hurma, ndërsa Pejgamberi ﷺ i tha personit në fjalë:
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë!”
- Dikujt që është më nevojtar se ne, o i Dërguari i Allahut?! Betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, se në mes dy pllajave (të Medinës) s'ka familje më të varfër se ne.
- “Shko ushqeje familjen tënde, pra”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”