Sahihu i Buhariut — Hadithi 6711
4. Nënkapitulli: Shpagimi u jepet dhjetë të varfërve, qofshin të afërm, qofshin të largët
6711. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Zuhriu, e ky nga Humejdi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “Jam shkatërruar!”
- “Çfarë ke?” - iu drejtua Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me bashkëshorten në Ramazan (gjatë ditës).
- “A ke me çfarë të lirosh një rob?”
- Jo, - tha ai.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A mund t'i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo, nuk mundem.
Rastisi që Pejgamberit ﷺ t'i sjellin një shportë me hurma, e në atë rast i tha personit në fjalë:
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë!”
- Dikujt që është më i varfër se ne? Në mes dy pllajave (në Medinën) s'ka familje më të varfër se ne.
- “Merre dhe ushqeje familjen tënde, pra”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”