Sahihu i Buhariut — Hadithi 6723
1. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj: mashkullit i takon aq sa pjesa e dy femrave; nëse trashëgimtarë janë dy e më tepër femra, atyre u takojnë dy të tretat nga trashëgimia; nëse është një femër - i takon gjysma e pasurisë; e për çdonjërin prind të të vdekurit - u përket një e gjashta nga pasuria e trashëguar, nëse i vdekuri ka lënë fëmijë; e nëse nuk ka fëmijë, e trashëgojnë prindërit dhe nënës i bie një e treta; nëse i vdekuri ka vëllezër, nënës së tij i bie një e gjashta, pas kryerjes së testamentit të lënë dhe larjes së borxhit. Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj. Ky caktim është nga ana e Allahut. Pa dyshim Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Juve ju takon gjysma e pasurisë nga ajo që kanë lënë bashkëshortet tuaja, nëse ato nuk kanë fëmijë. Por, nëse kanë fëmijë, ju takon një e katërta e asaj që kanë lënë ato, pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi. Në qoftë se nuk keni fëmijë, atyre (grave) u takon një e katërta e pasurisë që keni lënë e, nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta nga ajo që keni lënë, pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi. Nëse i vdekuri, qoftë burrë ose grua, është pa prindër dhe fëmijë, por ka vëlla ose motër (prej nënës), atëherë çdonjërit prej tyre i takon një e gjashta; e nëse ka më shumë nga ata, atëherë marrin pjesë bashkërisht në një të tretën e pasurisë, pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi, duke mos e dëmtuar askënd. Kjo është porosia e Allahut! Allahu është i Gjithëdijshëm dhe shumë Durues.”
6723. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa isha i sëmurë rëndë, i Dërguari i Allahut ﷺ me Ebu Bekrin erdhën në këmbë për të më vizituar, e në atë rast më gjetën të alivanosur. I Dërguari i Allahut ﷺ mori abdes dhe më spërkati me ujë të abdesit. Kur m'u kthye vetëdija, thashë: “O i Dërguari i Allahut, si të veproj me pasurinë time? Si ta ndaj atë?” Ai nuk më dha ndonjë përgjigje derisa zbriti ajeti i trashëgimisë.”