Sahihu i Buhariut — Hadithi 6737
9. Nënkapitulli: Trashëgimia e gjyshit me babanë dhe me vëllezërit
Ebu Bekri, Ibn Abasi dhe Ibn Zubejri kanë thënë: "Gjyshi llogaritet baba. Ibn Abasi citoi: “O ju bijtë e Ademit...” (Araf, 26). Po ashtu: “Unë e pasova fenë e baballarëve të mi, Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit...” (Jusuf, 38) Nuk përmendet se dikush e ka kundërshtuar Ebu Bekrin në kohën e tij, edhe pse shokët e Pejgamberit ﷺ ishin të pranishëm." Ibn Abasi ka thënë: "A djali i djalit tim më trashëgon mua, pa vëllezërit e mi, ndërsa unë nuk e trashëgoj djalin e djalit tim?! Prej Omerit, Aliut, Ibn Mesudit dhe Zejdit përmenden mendime të ndryshme."
6737. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jepjani pjesën e trashëgimisë atyre që u takon, e ajo që tepron, i përket mashkullit më të afërt në hise.”