Sahihu i Buhariut — Hadithi 6785

9. Nënkapitulli: Shpina e besimtarit është e mbrojtur, përveç gjatë ndëshkimit a të drejtës së dikujt ndaj tij

6785. Nga: Abdullah ibn Omeri

Muhamed ibn Abdullahu më ka thënë: Na ka treguar Asim ibn Aliu, e këtij i ka treguar Asim ibn Muhamedi, e ky nga Vakid ibn Muhamedi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ, në Haxhin Lamtumirës, ka thënë:
- “Cili muaj mendoni se është muaji më i shenjtë?”
- Ky muaj në të cilin jemi, - thanë.
- “Cili vend mendoni se është vendi më i shenjtë?”
- Ky vend në të cilin ndodhemi, - thanë.
- “Cila ditë mendoni se është dita më e shenjtë?”
- Kjo ditë në të cilën ndodhemi, - thanë.
- “Allahu i Lartmadhëruar jua ka bërë të shenjtë gjakun tuaj, pasurinë tuaj dhe nderin tuaj, - përveç atëherë kur është me të drejtë, - sikurse shenjtërinë e kësaj dite, në këtë vend dhe në këtë muaj. A e kumtova, vallë?”
Pejgamberi ﷺ për secilën prej këtyre pyeti nga tri herë, e ata iu përgjigjën:
- Po, gjithsesi!
- “Mjerë ju!” - ose ka thënë: “Vaj halli për ju! - Mos u ktheni në kufër pas meje (pas vdekjes sime) e ta luftoni njëri-tjetrin!” - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 6785

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?