Sahihu i Buhariut — Hadithi 6822

26. Nënkapitulli: Kush vepron një mëkat më të vogël sesa mëkatet për të cilat ka ndëshkim të përcaktuar e pastaj i tregon udhëheqësit për të, nuk ka dënim nëse pendohet dhe ka ardhur për të pyetur

Atau thotë: "Pejgamberi ﷺ nuk e ka ndëshkuar personin e tillë (siç përmendet në nënkapitull)." Ibn Xhurejxhi thotë: "Nuk e ka ndëshkuar atë që ka bërë marrëdhënie intime agjërueshëm gjatë Ramazanit e as Omeri nuk e ka ndëshkuar gjahtarin e antilopës, i cili ishte me ihram."

6822. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Lejthiu transmeton nga Amër ibn Harithi, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Muhamed ibn Xhafer ibn Zubejri, e ky nga Abad ibn Abdullah ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, një burrë vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: “O i Dërguari i Allahut, u dogja.”
- “Çfarë ke?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Kam bërë marrëdhënie intime me gruan time në Ramazan (gjatë ditës), - iu përgjigj ai.
- “Jep lëmoshë!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
- S'kam, - tha ai.
Kështu, ai ndenji aty për ca çaste, pastaj, një njeri që e ngiste gomarin dhe kishte me vete ca ushqim, erdhi te Pejgamberi ﷺ, - transmetuesi thotë: “Nuk di çfarë ushqimi ishte”, - e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Ku është i djeguri?”
- Ja ku jam, - tha ai.
- “Merre këtë dhe jepe lëmoshë!”
- Ndonjë më të varfri se unë?! Familja ime s'kanë ushqim, - tha ai.
- “Hajeni ju pra!” - iu drejtua Pejgamberi ﷺ.

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Transmetimi tjetër ku përmendet shprehja: "Ushqeje familjen tënde me të", është më i qartë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6822

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?