Sahihu i Buhariut — Hadithi 6827

30. Nënkapitulli: Kur dikush pranon se ka bërë zina

6827. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

6827, 6828 - Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka mësuar përmendsh nga goja e Zuhriut, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullahu se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Teksa po rrinim te Pejgamberi ﷺ, erdhi një burrë dhe i tha: “Po të bëj be në Allahun që të gjykosh mes nesh sipas Librit të Allahut!” Hasmi i tij, që kishte dituri më shumë se i pari, u ngrit dhe tha: “Gjyko mes nesh sipas Librit të Allahut dhe më lejo të flas!”
- “Fol!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Djali im ka qenë argat te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij. Andaj, e shpagova djalin tim me njëqind dele dhe një shërbëtor. Pastaj i pyeta dijetarët, të cilët më thanë se biri im duhet të dënohet me njëqind goditje me kamxhik dhe të dëbohet nga vendi për një vit, kurse gruaja e këtij duhet të gurëzohet, - u përgjigj burri.
Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të gjykoj mes jush sipas Librit të Allahut Lavdiplotë. Sa u përket njëqind deleve dhe shërbëtorit, duhet të të kthehen, kurse biri yt duhet të dënohet me njëqind goditje me kamxhik dhe të dëbohet një vit nga vendi. Shko, o Unejs, te gruaja e këtij dhe, nëse pranon (se ka bërë zina), gurëzoje.”
Unejsi shkoi dhe, pasi ajo pranoi, e gurëzoi.”
Ali ibn Abdullahu thotë: “Sufjanit i thashë se nuk e përmendi pjesën: “(Dijetarët) më treguan se biri im duhej të gurëzohej.” Ai më tha: “Jam në mëdyshje prej Zuhriut, ndoshta e kam thënë, e ndoshta kam heshtur.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6827

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?