Sahihu i Buhariut — Hadithi 6857
44. Nënkapitulli: Shpifja ndaj grave të ndershme
Fjala e Allahut: “Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet), e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni me tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë.” (Nur, 4) Fjala e Allahut: “Vërtet, ata që akuzojnë gratë e ndershme, besimtare të pafajshme, janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër dhe ata i pret një dënim shumë i madh.” (Nur, 23) Fjala e Allahut: “Ndërsa ata të cilët shpifin për gratë e veta dhe nuk kanë dëshmitarë tjetër përveç vetes, dëshmia e secilit prej tyre është: të betohet katër herë në Allahun se është duke e thënë të vërtetën.” (Nur, 6)
6857. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Sulejmani, e ky nga Thevr ibn Zejdi, e ky nga Ebu Gajthi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese!” Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato?” Pejgamberi ﷺ tha:
1. “Të bërët ortak Allahut,
2. Sihri,
3. Vrasja padrejtësisht e atij që ka ndaluar Allahu,
4. Ngrënia e kamatës,
5. Ngrënia e pasurisë së jetimit,
6. Ikja nga fronti i luftës dhe
7. Shpifja për gratë e ndershme, besimtare e të pastra.”