Sahihu i Buhariut — Hadithi 6859
46. Nënkapitulli: A bën që imami të urdhërojë dikë për ta zbatuar ndëshkimin në vend të tij, pa praninë e tij?
Omeri e ka praktikuar këtë.
6859. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu
6859, 6860 - Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Teksa ishim te Pejgamberi ﷺ, një burrë erdhi dhe i tha: “Po të bëj be në Allahun që të gjykosh mes nesh sipas Librit të Allahut!” Hasmi i tij, i cili kishte dituri më shumë se i pari, u ngrit dhe tha: “Mirë e ka. Gjyko mes nesh sipas Librit të Allahut dhe më lejo të flas, o i Dërguari i Allahut!”
- “Fol!” - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Djali im ka qenë argat te familja e këtij dhe ka bërë zina me gruan e tij. Andaj, unë e shpagova djalin tim me njëqind dele dhe një shërbëtor. Pastaj i pyeta dijetarët, e ata më thanë se biri im duhet të dënohet me njëqind goditje me kamxhik dhe të dëbohet nga vendi për një vit, ndërsa gruaja e këtij duhet të gurëzohet, - iu përgjigj burri.
Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se do të gjykoj mes jush sipas Librit të Allahut. Sa u përket njëqind deleve dhe shërbëtorit, duhet të të kthehen, kurse djali yt duhet të dënohet me njëqind goditje me kamxhik dhe të dëbohet një vit nga vendi. O Unejs, shko te gruaja e këtij dhe pyete, nëse pranon (se ka bërë zina), gurëzoje.” Ajo pranoi, andaj ai e gurëzoi.”