Sahihu i Buhariut — Hadithi 6947
4. Nënkapitulli: Nuk pranohet nëse pronari detyrohet me dhunë të dhurojë ose të shesë një rob
Disa thonë se, po qe se blerësi zotohet (bën nedhër) për diçka, atëherë shitja me imponim është e vlefshme, sipas mendimit të tyre. Kjo vlen edhe për robin e liruar me kusht pas vdekjes së pronarit.
6947. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Amër ibn Dinari se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ensar liroi një rob, duke ia kushtëzuar lirinë me vdekjen e pronarit. Ai nuk kishte pasuri tjetër pos atij robi, gjë për të cilën, kur i Dërguari i Allahut ﷺ u informua, tha: “Kush po e blen këtë rob prej meje?” Kështu, Nuajm ibn Nuhami e bleu tetëqind dërhemë.
Xhabiri thoshte: “Ai ka qenë rob koptas. Vdiq qysh në vitin e parë.”