Sahihu i Buhariut — Hadithi 6951

7. Nënkapitulli: Betimi i personit për shokun e tij: Ky është vëllai im, nëse frikësohet se do ta mbysin a diçka të ngjashme

Kështu, çdo person i detyruar, i cili frikësohet, duhet të mbrohet prej padrejtësive dhe të luftohet për të, e assesi të tradhtohet. Nëse lufton për ta mbrojtur atë që i bëhet padrejtësi (dhe mbyt dikë), atëherë nuk merret haku i gjakut ndaj tij. Nëse i thuhet atij: "Do të pish verë, ose do të hash ngordhësirë, ose do ta shesësh robin tënd, ose do ta pranosh borxhin, ose të bësh një dhuratë, ose të shkurorëzosh (të gjitha këto, me dhunë ose me detyrim), ose (në të kundërtën) do të ta vrasim babanë a vëllanë tënd në Islam, ose diçka të ngjashme, atëherë atij i lejohen këto." Kjo, bazuar në hadithin e Pejgamberit ﷺ: “Muslimani është vëlla i muslimanit.” Disa njerëz kanë thënë: "Nëse i thuhet atij: "Do të pish verë, ose do të hash ngordhësirë, ose (në të kundërtën) do të ta vrasim djalin a babanë tënd, ose dikë të afërm, këto nuk i lejohen atij. Kjo, se ai nuk është i detyruar. Pastaj, me këtë gjë ata e kundërshtuan veten, duke thënë: "Nëse i thuhet atij: "Do të ta vrasim babanë a djalin tënd, ose shite robin tënd, ose pranoje këtë borxh, ose fale (një gjë), me analogji detyrimisht duhet ta bëjë këtë. Ndërkaq, ne me rregullën e istihsanit themi: "Shitja, dhurimi, si dhe çdo akt tjetër, në këtë rast është i kotë. Kështu, ata kanë bërë dallimin mes të afërmit dhe të tjerëve pa pasur argument nga Kurani dhe Suneti. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ibrahimi ka thënë për gruan e tij: "Kjo është motra ime, - kishte për qëllim (motra ime) për Allahun.” Nehaiu ka thënë: "Nëse ai i cili kërkon nga dikush që të betohet, porse vetë është mizor, atëherë (betimi është) sipas nijetit të atij që betohet. E, nëse ai i cili kërkon nga dikush që të betohet, porse vetë është në hak, atëherë (betimi është) sipas nijetit të tij."

6951. Nga: Abdullah ibn Omeri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, andaj as i bën padrejtësi, as e dorëzon (aty ku i bëhet padrejtësi). Atij që i del në ndihmë vëllait të vet, Allahu do t'i dalë në ndihmë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6951

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?