Sahihu i Buhariut — Hadithi 6956
3. Nënkapitulli: Hilet në zekat: nuk lejohet ndarja e tufave të bashkuara dhe nuk lejohet bashkimi i tufave të ndara nga frika për zekatin
6956. Nga: Talha ibn Ubejdullahu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Ebu Suhejli, e ky nga babai i tij se Talha ibn Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një beduin flokëshprishur erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut, më trego çfarë më ka obliguar Allahu në lidhje me namazin?
- “Pesë namazet, përveç nëse shton diçka vullnetarisht”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- Më trego çfarë më ka obliguar Allahu në lidhje me agjërimin?
- “Muajin Ramazan, përveç nëse shton diçka vullnetarisht.”
- Më trego çfarë më ka obliguar Allahu në lidhje me zekatin?
Dhe, pasi i Dërguari i Allahut ﷺ ia tregoi rregullat e Islamit, ai tha: “Betohem në Atë që të ka nderuar se as do të shtoj gjë, as do të lë mangët nga këto që m'i ka obliguar Allahu.”
Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Do të shpëtojë, nëse e ka përnjëmend”, - ose ka thënë: “Do të hyjë në Xhenet, nëse e ka përnjëmend.”
Disa kanë thënë: “Në njëqind e njëzet deve jepen dy deve trevjeçare, e, nëse e ther qëllimisht, ose e dhuron, ose bën ndonjë hile që t'i shpëtojë zekatit, nuk detyrohet asgjë.”