Sahihu i Buhariut — Hadithi 6972

12. Nënkapitulli: Hilet e gruas që janë të urryera të bëhen me burrin dhe shemrat, si dhe çka i ka zbritur Pejgamberit ﷺ në lidhje me këtë

6972. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i pëlqenin mjalti dhe ëmbëlsirat. Pasi e falte namazin e ikindisë, shkonte te gratë e tij dhe kishte raste kur ndonjërës i afrohej. Një ditë, shkoi te Hafsa bint Omeri dhe qëndroi më shumë se zakonisht. Unë xhelozova dhe, kur pyeta rreth kësaj, dikush më tha: “Një familjare e saj i ka dhuruar një enë mjaltë dhe Hafsa i ka dhënë Pejgamberit ﷺ për të ngrënë. Si pasojë, thashë: “Për Allahun, do t'i bëjmë një hile.” Kështu, ia përmenda edhe Sevdës dhe i thashë: “Ai do të vijë te ti dhe, kur të të afrohet, thuaji: “O i Dërguari i Allahut, ke ngrënë megafir?” Ai do të të thotë "jo”, andaj thuaji: “Ç'është kjo erë?” Të Dërguarit të Allahut ﷺ i vinte rëndë t'i vinte erë e keqe. Ai do të të thotë: “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.” Ti thuaji: “Bletët, pra, paskan kullotur megafir.” Unë kam për t'i thënë ashtu, e njëjtë thuaji edhe ti, oj Safije.” Kur Pejgamberi ﷺ hyri te Sevda, ajo tregon: “Betohem në Atë, përveç të Cilit s'ka të adhuruar të denjë se, sapo erdhi te dera, veprova siç më the ti, se ta kisha frikën. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ m'u afrua, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, ke ngrënë megafir?”
- “Jo”, - tha ai.
- Ç'është kjo erë? - e pyeta.
- “Hafsa më ka dhënë të ha mjaltë.”
- Bletët paskan kullotur megafir, pra, - i thashë.
Aishja vazhdon: “Kur erdhi tek unë, edhe unë ia thashë të njëjtat fjalë. Pastaj shkoi te Safija, e edhe ajo ia tha të njëjtat fjalë. Si pasojë, kur shkoi herën tjetër te Hafsa dhe ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, të të ofroj mjaltë?”
- “Nuk më duhet”, - i tha ai.
Sevda më pati thënë: “Subhanallah, e lamë pa mjaltë!” I thashë: “Hesht, moj!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6972

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?