Sahihu i Buhariut — Hadithi 6992

9. Nënkapitulli: Ëndrrat e të burgosurve, shkatërrimtarëve a idhujtarëve

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Së bashku me të hynë në burg dy të rinj. Njëri prej atyre dyve tha: "Unë e pashë në ëndërr veten se po shtrydh (rrush për) verë." E tjetri tha: "Unë pashë në ëndërr se po bartja mbi kokë një bukë nga e cila hanin shpezët. Na trego komentin e saj, se ne të konsiderojmë ty nga njerëzit e mirë." Tha: "Nuk ju vjen juve ndonjë ushqim me të cilin ushqeheni, e që unë të mos e di, t’jua përshkruaj atë para se t’ju vijë. Kjo është nga ajo çka më mësoi Zoti im. Unë kam braktisur fenë e një populli që nuk e beson Allahun dhe botën tjetër, e ata ishin jobesimtarë. Unë ndoqa fenë e prindërve të mi: "Ibrahimit, Is’hakut, Jakubit. Neve nuk na takoi t’i përshkruajmë Allahut shok. Ky (besim i drejtë) është dhuratë e madhe nga Allahu ndaj nesh dhe ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk ia dinë vlerën. O ju dy shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo Allahu, i vetmi Ngadhënjimtar? Ata që adhuroni përveç Allahut, nuk janë tjetër vetëm se emra që i pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. O shokët e mi të burgut! Njëri prej ju dyve do t’i shërbejë verë zotërisë së vet, e tjetri do të varet, kurse shpezët do të hanë nga koka e tij. Çështja për të cilën kërkuat shpjegim, ka marrë fund (kështu). E atij për të cilin mendonte se është i shpëtuari prej atyre dyve, i tha: "Më kujto mua te zotëria yt. Po shejtani e vuri në harresë ta kujtonte te zotëria i tij, e për këtë mbeti në burg disa vjet. E (kur u afrua lirimi i Jusufit) mbreti tha: "Kam parë ëndërr shtatë lopë të majme dhe shtatë lopë të dobëta që i hanin ato (të dobëtat, i gëlltitnin ato të majmet) dhe shtatë kallinj të gjelbër (që kishin lidhur frytin) e (shtatë) të tjerë të tharë. O ju pari, nëse dini të komentoni ëndrrën, më tregoni për ëndrrën time! Ata (paria) thanë: "Ëndrra të përziera, e ne nuk dimë komentin e ëndrrave të tilla. E ai prej atyre dyve që shpëtoi (nga burgu) e kujtoi pas një periudhe e tha: "Unë ju tregoj kuptimin e saj. Pra më lejoni të shkoj (te Jusufi). O Jusuf, o ti i drejti, na shpjego për shtatë lopë të dobëta që i hanin shtatë lopë të majme, dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të thatë, ashtu që të kthehem te njerëzit (me përgjigje), që edhe ata ta kuptojnë!" Ai (Jusufi) tha: "Mbillni shtatë vjet vazhdimisht, e çka keni korrur lëreni nëpër kallinj, përveç një pakice nga e cila do të hani. Pastaj, do të vijnë shtatë (vjet) të vështirë (me skamje) që do të hanë atë që keni ruajtur për to, përveç një pakice nga ajo që do ta ruani (në depo për farë). Mandej, pas asaj vjen një vit (i begatshëm) në të cilin njerëzve u bie shi dhe në të cilin do të kenë të vjela." E mbreti tha: "Më sillni mua atë (Jusufin)! Dhe, kur atij (Jusufit) i erdhi i dërguari (i mbretit), ai i tha: "Kthehu te zotëria yt dhe pyete atë: "Ç’është puna e atyre (grave), që i prenë duart e tyre? Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre.” (Jusuf, 36 – 50) Fudajli i pati thënë një pasuesi të tij: "O rob i Allahut! A është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo Allahu, i vetmi Ngadhënjimtar?"

6992. Nga: Ebu Hurejra

Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejriu, e ky nga Maliku, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Seid ibn Musejebi dhe Ebu Ubejdi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të qëndroja në burg aq sa ka qëndruar Jusufi, e pastaj të më vinte thirrësi (për të dalë nga burgu), do t'i përgjigjesha.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6992

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?