Sahihu i Buhariut — Hadithi 7042
45. Nënkapitulli: Kur dikush gënjen se ka parë diçka në ëndërr
7042. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush pretendon se ka parë një ëndërr, të cilën në të vërtetë nuk e ka parë, (në Ditën e Gjykimit) ngarkohet që t'i lidhë dy kokrra elbi njëra me tjetrën, gjë që s'do të ketë mundësi ta bëjë. Sakaq, nëse dikush dëgjon vjedhurazi bisedën e një grupi njerëzish, gjë të cilën ata e urrejnë ose ikin prej tij, në Ditën e Gjykimit atij do t'i derdhet plumb i shkrirë në vesh. E, nëse dikush pikturon një pikturë (frymorësh), do të dënohet dhe do të ngarkohet që t'ia vendosë shpirtin pikturës, gjë që s'do të ketë mundësi kurrë ta bëjë.”
Sufjani ka thënë: “Këtë (hadith) na e ka transmetuar Ejubi.” Kutejbe ka thënë: “Na ka treguar Ebu Avane nga Katadja, e ky nga Ikrime, e ky nga Ebu Hurejra fjalën e tij ﷺ: "Kush gënjen se ka parë një ëndërr.” Po ashtu, Shuëbe transmeton nga Ebu Hashim Rumaniu, i cili thotë: “E kam dëgjuar Ikrimen duke transmetuar nga Ebu Hurejra se ka përdorur shprehjet: "Kush pikturon...”, "Kush pretendon se ka parë një ëndërr...”, "Kush ka dëgjuar...”. Is'haku na ka thënë: “Na ka treguar Halidi nga Halidi, e ky nga Ikrime, e ky nga Ibn Abasi se ka përdorur shprehjet: "Kush ka dëgjuar...”, "Kush pretendon se ka parë një ëndërr...”, "Kush pikturon...”, ngjashëm me hadithin paraprak. Ndërkaq transmetimin e Ejubit e fuqizon Hishami nga Ikrime, e ky nga Ibn Abasi.”