Sahihu i Buhariut — Hadithi 7058
3. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Shkatërrimi i umetit tim do të bëhet në duart e disa djelmoshave mendjelehtë.”
7058. Nga: Ebu Hurejra
Musa ibn Ismaili transmeton se Amër ibn Jahjai tregon: “Gjyshi im (Seid ibn Amër ibn Seidi) më ka rrëfyer: “Po rrija me Ebu Hurejrën (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në Xhaminë e Pejgamberit ﷺ në Medinë, e, me ne ishte edhe Mervani, ndërkohë Ebu Hurejra tha: “E kam dëgjuar të sinqertin që i është thënë e vërteta (Pejgamberin ﷺ) të thotë: “Shkatërrimi i umetit tim do të jetë në duart e disa djelmoshave kurejshë.” Mervani tha: “Allahu i mallkoftë ata djelmosha!”
Ebu Hurejra vazhdoi: “Po të doja, do t'i përmendja edhe me emra: benu filanët dhe benu filanët.”
Amër ibn Jahjai thoshte: “Unë dilja me gjyshin tim ndër benu mervanët, që ishin udhëheqës në Sham, për të cilët, kur ai i shihte djelmosha të rinj, na thoshte: “Ndoshta këta janë prej tyre?”
- Ti e di më mirë, - i thoshim ne.”