Sahihu i Buhariut — Hadithi 7078

8. Nënkapitulli: Fjala e Pejgamberit ﷺ: “Pas meje mos u ktheni në kufër (mosbesim) e të luftoni njëri-tjetrin.”

7078. Nga: Ebu Bekrete

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Kurra ibn Halidi, e këtij i ka treguar Ibn Sirini, e ky nga Abdurrahman ibn Ebu Bekrete, e ky nga Ebu Bekrete dhe një person tjetër, i cili në vetvete është më i mirë se Abdurrahman ibn Ebu Bekrete, se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ na ligjëroi dhe tha:
- “Vallë, e dini çfarë dite është sot?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - thanë të pranishmit.
Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:
- “A nuk është dita e Bajramit?”
- Po, ashtu është, o i Dërguari i Allahut!
- “Cili qytet është ky? A nuk është qyteti i shenjtë?”
- Po, ashtu është, o i Dërguari i Allahut!
- “Dijeni mirë se gjaqet, pasuria, nderi dhe lëkurat tuaja janë të shenjtë sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj, në këtë vend. A e kumtova, vallë?”
- Po, - iu përgjigjën.
- “Zoti im, ji Dëshmitar! Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë, se ndoshta ai të cilit do t'i kumtohet e kupton më mirë se këta që po e dëgjojnë.”
(Muhamed ibn Sirini shton:) “Me të vërtetë, ashtu ka ndodhur.”
Pastaj Pejgamberi ﷺ tha: “Pas meje (pas vdekjes sime) mos u ktheni në kufër e të vrisni njëri-tjetrin.”
Ditën kur Xharije ibn Kudame e dogji Ibn Hadremiun, pati thënë: “Gjejeni Ebu Bekreten.”

- Ja ku është Ebu Bekrete, po të sheh, - i thanë.

Abdurrahmani ka thënë: “Nëna ime më ka treguar se Ebu Bekrete ka thënë: “Sikur të vinin tek unë, nuk do t'i luftoja, qoftë dhe për një shtizë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7078

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?