Sahihu i Buhariut — Hadithi 7097
17. Nënkapitulli: Fitneja që tallazohet siç tallazohet deti
Ibn Ujejne transmeton nga Halef ibn Haushebi se ka thënë: "(Të parët) parapëlqenin që, kur vinte ndonjë fitne, t’i recitonin këto vargje të Imru Kajsit: "Lufta në fillim është si vashë e re, me bukurinë e saj i paraqitet çdo injoranti. Derisa të ndizet dhe të shtohet flaka e saj, ikën porsi një plakë që burrë nuk ka. E thinjur, me ngjyrë të ndryshuar dhe e shëmtuar, s'të tërheqë ta nuhasësh e as që ta puthësh."
7097. Nga: Ebu Musa Eshariu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Sherik ibn Abdullahu, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ shkoi në një kopsht të Medinës për të kryer nevojën. Unë i shkova pas dhe, kur ai hyri në kopsht, unë u ula te dera.” Thosha me vete: “Sot do t'i bëj rojë të Dërguarit të Allahut ﷺ, edhe pse nuk më ka urdhëruar.” Pejgamberi ﷺ shkoi, e kreu nevojën, pastaj u ul buzë pusit, i zbuloi kërcinjtë dhe i futi në ujë.
Pas pak erdhi Ebu Bekri dhe kërkoi leje të hyjë. Unë i thashë: “Prit të kërkoj leje për ty.” Ai u ndal dhe unë shkova te Pejgamberi ﷺ e i thashë: “O i Dërguari i Allahut, Ebu Bekri po kërkon leje.”
- “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet”, - tha ai.
Ebu Bekri u ul në të djathtë të Pejgamberit ﷺ, i zbuloi kërcinjtë dhe i futi në ujë.
Më pas erdhi Omeri, të cilit, po ashtu, i thashë: “Prit të kërkoj leje për ty.” Pejgamberi ﷺ tha: “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet.” Ai erdhi dhe u ul në të majtë të Pejgamberit ﷺ, i zbuloi kërcinjtë dhe i futi në ujë. Kështu, u zunë vendet buzë pusit dhe nuk mbeti më vend aty.
Pastaj erdhi Othmani, të cilit i thashë: “Prit të kërkoj leje për ty. Pejgamberi ﷺ tha: “Jepi leje dhe përgëzoje me Xhenet, pas një sprove që do ta godasë.”
Ai hyri, porse nuk gjeti vend të ulet me ta, andaj shkoi dhe u doli përballë, në anën tjetër të pusit. Edhe ai i zbuloi kërcinjtë dhe i futi në ujë. Unë kisha dëshirë që edhe vëllai im të vinte, andaj e lusja Allahun që edhe ai të vinte.
Seid ibn Musejebi thotë: “Renditjen e uljes së tyre e komentova me pozitën e varreve të tyre. Ata tre u bashkuan, kurse Othmani u veçua.”