Sahihu i Buhariut — Hadithi 7098
17. Nënkapitulli: Fitneja që tallazohet siç tallazohet deti
Ibn Ujejne transmeton nga Halef ibn Haushebi se ka thënë: "(Të parët) parapëlqenin që, kur vinte ndonjë fitne, t’i recitonin këto vargje të Imru Kajsit: "Lufta në fillim është si vashë e re, me bukurinë e saj i paraqitet çdo injoranti. Derisa të ndizet dhe të shtohet flaka e saj, ikën porsi një plakë që burrë nuk ka. E thinjur, me ngjyrë të ndryshuar dhe e shëmtuar, s'të tërheqë ta nuhasësh e as që ta puthësh."
7098. Nga: Usame ibn Zejdi
Bishr ibn Halidi më ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani se Ebu Vaili tregon: “Dikush i tha Usames (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Sikur të bisedoje me këtë (Othmanin).” Ai tha: “Kam biseduar me të (në vetmi për këto çështje) pa hapur ndonjë derë (të fitnes), ashtu që të mos jem i pari që e hap atë. Nuk jam asi burri që të mund t'i them dikujt që është bërë prijës i dy personave se ti je më i mirë. Kjo, se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë thënë: “(Në ditën e Kiametit) do të sillet një njeri dhe do të hidhet në Zjarr, ku do të sillet rrotull, siç sillet gomari rreth rrotës së mullirit. Banorët e Zjarrit do të tubohen rreth tij dhe do ta pyesin: “O filan, a nuk urdhëroje për të mirë e ndaloje nga e keqja?” Ai do të përgjigjet: “Ju urdhëroja për të mirë, por vetë nuk e punoja, si dhe ju ndaloja nga e keqja, por vetë e punoja.”