Sahihu i Buhariut — Hadithi 7243

9. Nënkapitulli: Në cilin rast shprehja “sikur” është e lejuar

Allahu i Madhëruar i rrëfen fjalët e Lutit ﷺ në librin e Tij: “Sikur të kisha fuqi kundër jush...” (Hud, 80)

7243. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e këtij i ka treguar Eshathi, e ky nga Esved ibn Jezidi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ për murin (që gjendet afër Qabesë): “A është pjesë e Qabesë?” Ai më tha:
- “Po.”
- Vallë, përse nuk e kanë ngjitur me Qabenë? - e pyeta.
- “A nuk e di se populli yt nuk kishte pasuri të mjaftueshme (për ta ndërtuar)?”
- Po dera, vallë, përse është e ngritur?
- “Kështu e kanë vendosur populli yt, që të fusin në Qabe kë të duan dhe të ndalojnë kë të duan. Sikur populli yt të mos ishin kaq afër me kohën e injorancës dhe sikur të mos kisha frikë se zemrat e tyre do ta refuzonin, murin (harkor) do ta përfshija në Qabe dhe derën do ta vija në nivel me tokën.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7243

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?