Sahihu i Buhariut — Hadithi 7250
1. Nënkapitulli: Citatet që kanë ardhur se transmetimi i një personi të besueshëm është i pranuar: "Në ezan, në namaz, në agjërim, në trashëgimi si dhe në dispozita.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen tek ata, në mënyrë që ata të ruhen.” (Teube, 122) Edhe një njeri mund të quhet ‘grup’ për shkak të ajetit: “Nëse dy grupe të besimtarëve luftojnë mes vete...” (Huxhurat, 9) Kështu, nëse vetëm dy njerëz luftojnë mes vete, hyjnë në kuptimin e ajetit. Po ashtu Allahu ka thënë: “Nëse u vjen një mëkatar me një lajm, vërtetojeni atë...” (Huxhurat, 6) Gjithashtu, siç Pejgamberi ﷺ i dërgonte mëkëmbësit e tij, një nga një, kështu që nëse ndonjëri prej tyre gabonte, çështja e tij kthehej te Suneti (tradita e Pejgamberit ﷺ).
7250. Nga: Ebu Hurejra
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ një ditë dha selam në rekatin e dytë, e në atë rast Dhuljedejni i tha:
- O i Dërguari i Allahut, a u shkurtua namazi apo harrove?
- “A po e thotë të vërtetën Dhuljedejni?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - iu përgjigjën njerëzit.
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit, i fali edhe dy rekate, dha selam, mori tekbirin dhe ra në sexhde sikurse për sexhdet e namazit, ose edhe më gjatë, pastaj u ngrit, mori tekbir, ra në sexhde, sikurse për sexhdet e namazit, pastaj u ngrit.