Sahihu i Buhariut — Hadithi 7252
1. Nënkapitulli: Citatet që kanë ardhur se transmetimi i një personi të besueshëm është i pranuar: "Në ezan, në namaz, në agjërim, në trashëgimi si dhe në dispozita.
Allahu i Madhëruar ka thënë: “E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen tek ata, në mënyrë që ata të ruhen.” (Teube, 122) Edhe një njeri mund të quhet ‘grup’ për shkak të ajetit: “Nëse dy grupe të besimtarëve luftojnë mes vete...” (Huxhurat, 9) Kështu, nëse vetëm dy njerëz luftojnë mes vete, hyjnë në kuptimin e ajetit. Po ashtu Allahu ka thënë: “Nëse u vjen një mëkatar me një lajm, vërtetojeni atë...” (Huxhurat, 6) Gjithashtu, siç Pejgamberi ﷺ i dërgonte mëkëmbësit e tij, një nga një, kështu që nëse ndonjëri prej tyre gabonte, çështja e tij kthehej te Suneti (tradita e Pejgamberit ﷺ).
7252. Nga: Bera ibn Azibi
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e ky nga Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi në Medinë, u fal në drejtim të xhamisë së Kudsit për gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë muaj rresht. Ai kishte dëshirë të drejtohej nga Qabeja, andaj Allahu ﷻ zbriti ajetin: “Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli, andaj Ne do të të drejtojmë nga kibla që ti e do...” (Bekare, 144) Dhe kështu u drejtua nga Qabeja. Atë ditë, një burrë e fali ikindinë së bashku me Pejgamberin ﷺ dhe doli (prej xhamisë), ku kaloi pranë një grupi ensarësh (që po faleshin) dhe u tregoi duke dëshmuar se ishte falur me Pejgamberin ﷺ, i cili ishte kthyer nga Qabeja. Kështu edhe ata u kthyen nga Qabeja teksa ishin në ruku, në namazin e ikindisë.”