Sahihu i Buhariut — Hadithi 7257

1. Nënkapitulli: Citatet që kanë ardhur se transmetimi i një personi të besueshëm është i pranuar: "Në ezan, në namaz, në agjërim, në trashëgimi si dhe në dispozita.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen tek ata, në mënyrë që ata të ruhen.” (Teube, 122) Edhe një njeri mund të quhet ‘grup’ për shkak të ajetit: “Nëse dy grupe të besimtarëve luftojnë mes vete...” (Huxhurat, 9) Kështu, nëse vetëm dy njerëz luftojnë mes vete, hyjnë në kuptimin e ajetit. Po ashtu Allahu ka thënë: “Nëse u vjen një mëkatar me një lajm, vërtetojeni atë...” (Huxhurat, 6) Gjithashtu, siç Pejgamberi ﷺ i dërgonte mëkëmbësit e tij, një nga një, kështu që nëse ndonjëri prej tyre gabonte, çështja e tij kthehej te Suneti (tradita e Pejgamberit ﷺ).

7257. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Zubejdi, e ky nga Sad ibn Ubejde, e ky nga Ebu Abdurrahmani se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, Pejgamberi ﷺ dërgoi një ekspeditë luftarake, në krye të të cilëve caktoi një burrë. Ai ndezi një zjarr dhe u tha: “Hyni në të!” Disa deshën të hyjnë, por disa të tjerë thanë: “Ne nga kjo kemi ikur!” Kur ia përmendën këtë Pejgamberit ﷺ, për ata që deshën të hyjnë në zjarr, tha: “Sikur të hynin në të, do të mbeteshin aty deri në Ditën e Kiametit.” Ndërkaq, të tjerëve u tha: “Nuk ka nënshtrim në mëkat, porse nënshtrimi bëhet vetëm në gjëra të lejuara.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7257

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?