Sahihu i Buhariut — Hadithi 7266
5. Nënkapitulli: Porosia e Pejgamberit ﷺ drejtuar delegacioneve arabe që ata t'ua përcjellin (fenë) atyre që i kanë lënë pas
Këtë e transmeton edhe Malik ibn Huvejrithi.
7266. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Xhadi na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuëbe; [t]: Is'haku më ka thënë: Na ka rrëfyer Nadri, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe se Ebu Xhemra tregon: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më ulte në vendin e tij, kështu që (një ditë) më tha: “Kur delegacioni i Abdulkajsit vajti tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ky u tha: “Cilët jeni ju, o delegatë?”
- Jemi nga fisi rebia, - i thanë ata.
- “Mirë se erdhët, o delegatë dhe o njerëz! Nuk do të jeni as të poshtëruar e as pishman (që keni ardhur tek unë)”, - u tha ai.
- O i Dërguari i Allahut, në mes nesh e teje ndodhen jobesimtarët e Mudarit, andaj na urdhëro diçka konkrete, që me të të fitojmë Xhenetin dhe t'i njoftojmë edhe ata që i kemi lënë mbrapa, - thanë ata pastaj e pyetën rreth pijeve.
Atëherë, Pejgamberi ﷺ ua ndaloi katër gjëra dhe ua urdhëroi katër të tjera:
1. I urdhëroi ta besonin Allahun, dhe në atë rast i pyeti: “A dini ç'është besimi në Allahun?”
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - iu përgjigjën ata.
- “Dëshmia se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka ortak dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut,
2. Faljen e namazit,
3. Dhënien e zekatit,
4. - Më duket se përmendi edhe: agjërimin e Ramazanit, - dhe
5. Dhënien e një të pestës nga preja e luftës”, - u tha ai.
Po ashtu, ua ndaloi katër gjëra: enën nga kungulli, shtambën, vorbën e katranosur dhe varelën, ose ka përmendur edhe koritën (enë në të cilat përgatitej alkooli). Në fund, u tha: “Mësoni mirë këto gjëra dhe njoftoni edhe të tjerët mbrapa jush.”