Sahihu i Buhariut — Hadithi 7281
2. Nënkapitulli: Pasimi i suneteve të të Dërguarit të Allahut ﷺ
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... dhe bëna imamë (shëmbëlltyrë) për të devtoshmit!” (Furkan, 74) Pra, imamë (shëmbëlltyrë) që t’i pasojmë ata që ishin para nesh dhe që ne të pasohemi nga ata që vijnë pas nesh. Ibn Avni ka thënë: "Tri gjëra i dua për vete dhe për vëllezërit e mi: ta mësojnë sunetin dhe të pyesin për të, ta kuptojnë Kuranin dhe të pyesin për të, si dhe t’i lënë njerëzit (rehat) përveç nëse bëhet fjalë për ndonjë të mirë."
7281. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Abide na ka thënë: Na ka rrëfyer Jezidi, e këtij i ka treguar Sulejm ibn Hajani, e këtij i ka treguar Seid ibn Minai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke fjetur, i erdhën disa melekë. Disa prej tyre thanë: “Ai po fle”, kurse disa të tjerë thanë: “Syri i fle, kurse zemra i rri zgjuar.” Melekët thanë: “Për këtë shokun tuaj, ka një shembull, andaj silleni atë shembull.”
Disa prej tyre thanë: “Ai po fle”, kurse disa të tjerë thanë: “Syri i fle, kurse zemra i rri zgjuar.” Pastaj thanë: “Rasti i tij shëmbëllen me një njeri që ka ndërtuar një shtëpi, ka shtruar një sofër dhe ka dërguar një thirrës. Kush i përgjigjet thirrësit, hyn në shtëpi dhe ha në sofër. Ndërkaq, kush nuk i përgjigjet, nuk mund të hyjë në shtëpi e as të hajë në sofër.” Melekët thanë: “Shpjegojani edhe atij që ta kuptojë.” Disa thanë: “Ai po fle.” Kurse të tjerët thanë: “Syri i fle, kurse zemra i rri zgjuar.” Pastaj thanë: “Shtëpia (e përmendur) është Xheneti, ndërsa thirrësi është Muhamedi ﷺ, andaj kush i bindet Muhamedit ﷺ, i është bindur Allahut, e, kush e kundërshton Muhamedin, e ka kundërshtuar Allahun. Pra, Muhamedi ﷺ është dalluesi mes njerëzve.”
Këtë transmetim e fuqizon Kutejbe nga Lejthiu, e ky nga Halidi, e ky nga Seid ibn Ebu Hilali, e ky nga Xhabiri (se ka thënë): “Pejgamberi ﷺ u paraqit ndër ne.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 7281
Fjalë të panjohura?