Sahihu i Buhariut — Hadithi 7283

2. Nënkapitulli: Pasimi i suneteve të të Dërguarit të Allahut ﷺ

Allahu i Madhëruar ka thënë: “... dhe bëna imamë (shëmbëlltyrë) për të devtoshmit!” (Furkan, 74) Pra, imamë (shëmbëlltyrë) që t’i pasojmë ata që ishin para nesh dhe që ne të pasohemi nga ata që vijnë pas nesh. Ibn Avni ka thënë: "Tri gjëra i dua për vete dhe për vëllezërit e mi: ta mësojnë sunetin dhe të pyesin për të, ta kuptojnë Kuranin dhe të pyesin për të, si dhe t’i lënë njerëzit (rehat) përveç nëse bëhet fjalë për ndonjë të mirë."

7283. Nga: Ebu Musa Eshariu

Ebu Kurejbi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejdi, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë dhe ajo me të cilën më ka dërguar Allahu shëmbëllejmë me një njeri që ka shkuar te një popull dhe u ka thënë: “O popull, e pashë ushtrinë (e armikut) me sytë e mi, andaj unë jam lajmëtari i zhveshur! Shpëtoni!” Kështu, një grup nga populli i tij iu bindën dhe gjatë natës ikën ngadalë e shpëtuan. Ndërkaq, grupi tjetër e përgënjeshtruan dhe u gdhinë në vendin e tyre. Si pasojë, në mëngjes ushtria i sulmoi, i vrau dhe i shfarosi. Ky është shembulli i atij që më bindet dhe pason shpalljen që kam sjellë, dhe shembulli i atij që më kundërshton dhe përgënjeshtron të vërtetën që kam sjellë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7283

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?