Sahihu i Buhariut — Hadithi 7284
2. Nënkapitulli: Pasimi i suneteve të të Dërguarit të Allahut ﷺ
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... dhe bëna imamë (shëmbëlltyrë) për të devtoshmit!” (Furkan, 74) Pra, imamë (shëmbëlltyrë) që t’i pasojmë ata që ishin para nesh dhe që ne të pasohemi nga ata që vijnë pas nesh. Ibn Avni ka thënë: "Tri gjëra i dua për vete dhe për vëllezërit e mi: ta mësojnë sunetin dhe të pyesin për të, ta kuptojnë Kuranin dhe të pyesin për të, si dhe t’i lënë njerëzit (rehat) përveç nëse bëhet fjalë për ndonjë të mirë."
7284. Nga: Ebu Hurejra
7284. 7285. Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pasi vdiq i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri u zgjodh prijës, shumë arabë u bënë renegatë. Omeri i tha Ebu Bekrit: “Si po i lufton njerëzit, ndërkohë i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam urdhëruar t'i luftoj njerëzit derisa të thonë: “La ilahe il-lallah.” Ai që thotë: “La ilahe il-lallah”, prej meje e ka të siguruar pasurinë dhe veten, përveç (nëse bie ndesh) me të drejtën (islame), ndërkohë llogaria e tij është tek Allahu.”
Atëherë Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: “Betohem në Allahun se do t'i luftoj ata që bëjnë dallim mes namazit dhe zekatit. Zekati është obligim i pasurisë. Betohem në Allahun se, nëse nuk më japin qoftë dhe një litar deveje, të cilin ia jepnin të Dërguarit të Allahut ﷺ, do t'i luftoj për shkak të mosdhënies. (Më vonë) Omeri tha: “Për Allahun, kuptova se Allahu ia kishte hapur zemrën Ebu Bekrit (duke e udhëzuar) për luftë, andaj u binda se kjo është e vërteta.”
Ibn Bukejri dhe Abdullahu transmetojnë nga Lejthiu (se ka thënë): “Një qengj (në vend të: një litari deveje).” Buhariu shton: “Dhe kjo është më e saktë.”