Sahihu i Buhariut — Hadithi 7287

2. Nënkapitulli: Pasimi i suneteve të të Dërguarit të Allahut ﷺ

Allahu i Madhëruar ka thënë: “... dhe bëna imamë (shëmbëlltyrë) për të devtoshmit!” (Furkan, 74) Pra, imamë (shëmbëlltyrë) që t’i pasojmë ata që ishin para nesh dhe që ne të pasohemi nga ata që vijnë pas nesh. Ibn Avni ka thënë: "Tri gjëra i dua për vete dhe për vëllezërit e mi: ta mësojnë sunetin dhe të pyesin për të, ta kuptojnë Kuranin dhe të pyesin për të, si dhe t’i lënë njerëzit (rehat) përveç nëse bëhet fjalë për ndonjë të mirë."

7287. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga Fatime bint Mundhiri se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Teksa po ndodhte eklipsi i diellit dhe njerëzit po faleshin, shkova tek Aishja, e cila ishte duke u falur dhe i thashë: “Çfarë kanë njerëzit?” Ajo më bëri me shenjë nga qielli dhe tha: “Subhanallah!” E pyeta: “Diçka e jashtëzakonshme?” Ajo bëri me kokë, në shenjë pohimi.
Pasi i Dërguari i Allahut ﷺ e mbaroi (namazin), e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun Fuqiplotë dhe tha: “Çdo gjë që s'kam pasur rastin ta shoh ndonjëherë më parë, më është shfaqur tani, në këtë vend, madje edhe Xheneti dhe Zjarri. M'u shpall se ju të gjithë do të sprovoheni në varret tuaja, ngjashëm me sprovën e Dexhallit.
Besimtari,
- ose ka thënë: muslimani, - nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - thotë: “Ai është Muhamedi, na ka ardhur me argumente të qarta, e ne i jemi përgjigjur dhe kemi besuar.” I thuhet: “Fli i qetë, e dimë mirë se ke qenë i bindur për këtë.” Ndërkaq, hipokriti, - ose ka thënë: dyshuesi, - nuk e di se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - thotë: “Nuk di, dëgjoja njerëzit tek thoshin diçka, e unë e përsërisja pas tyre.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7287

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?