Sahihu i Buhariut — Hadithi 7294
3. Nënkapitulli: Ndalimi i pyetjeve të shumta si dhe thellimi në gjëra që nuk i duhen
Allahu i Madhëruar ka thënë: “... Mos pyetni për gjëra, që, sikur t’ju thuheshin haptazi, nuk do t’ju pëlqenin...” (Maide, 101)
7294. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu. [t]: Mahmudi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ doli kur dielli lëvizi prej zenitit dhe e fali drekën. Pasi dha selam, hipi në minber dhe na e kujtoi Kiametin. Përmendi disa ndodhi madhështore para asaj dite, pastaj tha: “Nëse dikush dëshiron të pyesë diçka, le të pyesë. Për Allahun, çfarëdo që më pyetni, do t'ju përgjigjem, përderisa jam në këtë vend.”
Ensarët filluan të qanin me të madhe, e i Dërguari i Allahut ﷺ vazhdonte të thoshte: “Më pyetni!”
Një njeri u ngrit dhe tha:
- Ku e kam vendin unë (në ahiret), o i Dërguari i Allahut?
- “Në Zjarr”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj Abdullah ibn Hudhafe u ngrit dhe tha:
- Kë kam baba unë, o i Dërguari i Allahut?
- “Baba e ke Hudhafen”, - tha Pejgamberi ﷺ dhe vazhdoi t'u thoshte: “Pyetmëni! Pyetmëni!”
Omeri u ul në gjunjë dhe tha: “Jemi të kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin ﷺ për Pejgamber.” Kështu, i Dërguari i Allahut ﷺ heshti. Më pas tha: “Për Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, pak më parë, m'u shfaqën Xheneti dhe Zjarri në sipërfaqen e këtij muri, teksa po falesha, nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh.”