Sahihu i Buhariut — Hadithi 7300

5. Nënkapitulli: Ndalesa e thellimit (të panevojshëm) dhe përçarjes në dituri, teprimit në fe dhe bidatit (risive)

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O ithtarët e Librit, mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni për Allahun, përveçse të vërtetën...” (Nisa, 171)

7300. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahim Tejmiu se Jezid ibn Sheriku tregon: “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i hipur në një minber qerpiçi, me një shpatë në këllëf, ku kishte të varur një shkresë, na ligjëroi dhe na tha: “Për Allahun, nuk kemi libër për ta lexuar, përveç Librit të Allahut dhe përmbajtjes së kësaj fletushke. Kur e shpalosi, aty flitej për moshat e kafshëve (për zekat) si dhe: “Medina është e shenjtë prej Irit deri atje (te Theuri), andaj mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që bën risi brenda saj. Të atillit, Allahu nuk ia pranon as farzet e as nafilet.”
Po ashtu, aty shkruante: “Besa e muslimanëve është një dhe të gjithë e respektojnë atë. Mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë që tradhton ndonjë musliman! Të atillit, Allahu nuk ia pranon as farzet e as nafilet.”
Aty gjithashtu shkruante: “Gjithashtu, mallkimi i Allahut, melekëve dhe gjithë njerëzve qoftë mbi atë (rob të liruar) që meritën e çrobërimit të tij ia jep dikujt tjetër, pa lejen e atyre që e kanë liruar! Të atillit, Allahu nuk ia pranon as farzet e as nafilet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7300

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?