Sahihu i Buhariut — Hadithi 7303
5. Nënkapitulli: Ndalesa e thellimit (të panevojshëm) dhe përçarjes në dituri, teprimit në fe dhe bidatit (risive)
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O ithtarët e Librit, mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni për Allahun, përveçse të vërtetën...” (Nisa, 171)
7303. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Gjatë sëmundjes së vdekjes, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz.”
- Kur Ebu Bekri të zëvendëson ty, njerëzit nuk mund ta dëgjojnë nga të qarët. Andaj, thuaji Omerit t'ua falë, - i thashë.
Pejgamberi ﷺ sërish tha: “I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz.”
Aishja thotë: “Unë i thashë Hafsës: “Thuaji Pejgamberit ﷺ: “Kur Ebu Bekri të zëvendëson ty, njerëzit nuk mund ta dëgjojnë nga të qarët. Andaj, thuaji Omerit t'ua falë njerëzve.”
Hafsa veproi ashtu, por i Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu: “Jeni bërë sikurse gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve (në namaz)!”
Hafsa iu drejtua Aishes: “Kurrë nuk ta pashë hajrin!”