Sahihu i Buhariut — Hadithi 7304
5. Nënkapitulli: Ndalesa e thellimit (të panevojshëm) dhe përçarjes në dituri, teprimit në fe dhe bidatit (risive)
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “O ithtarët e Librit, mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni për Allahun, përveçse të vërtetën...” (Nisa, 171)
7304. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Zuhriu se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Uvejmir Axhlani vajti tek Asim ibn Adiu e i tha: “Çfarë thua për një burrë që gjen një burrë të huaj me gruan e tij? A ta vrasë atë, e pastaj edhe këtë ta vrisni? O Asim, pyete për mua të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë.” Ai e pyeti, porse i Dërguari i Allahut ﷺ i urrente pyetjet (për diçka që s'ka ndodhur) dhe i qortonte. Kështu, Asimi u kthye dhe i tregoi se Pejgamberi ﷺ e urreu pyetjen. Uvejmiri tha: “Për Allahun, do të shkoj vetë te Pejgamberi ﷺ.
Kur shkoi, Allahu i Madhëruar tashmë kishte zbritur shpallje nga Kurani, pas largimit të Asimit. Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Allahu zbriti shpallje për ju” - dhe i ftoi ata dy (Uvejmirin dhe gruan e tij), të cilët erdhën dhe mallkuan njëri-tjetrin (bënë lian).
Pas kësaj, Uvejmiri tha: “O i Dërguari i Allahut, po ta mbaja, unë do të isha gënjeshtari.” Prandaj, e lëshoi, edhe pse i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e urdhëroi të veprojë ashtu.”
Ibn Shihabi thotë: “E tillë mbeti tradita e bashkëshortëve që bëjnë lian (pra, të ndahen).”
Pejgamberi ﷺ tha: “Shikojeni, nëse ajo e lind fëmijën të kuq e të shkurtër, sikurse lloj zhapiu, mendoj se ai ka gënjyer. E, nëse ajo e lind të zi, me sy të mëdhenj e me vithe të mëdha, mendoj se ai e ka thënë të vërtetën.” Në fund, ajo lindi një fëmijë (të zi) siç nuk dëshirohej.”