Sahihu i Buhariut — Hadithi 7307
7. Nënkapitulli: Argumentet që qortojnë mendimin (pikëpamjen) që nuk mbështetet në argumente fetare dhe teprimin në analogji
“Mos iu qas (mos fol rreth) asaj për të cilën nuk ke njohuri...” (Isra, 36)
7307. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Seid ibn Telidi na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Abdurrahman ibn Shurejhu dhe të tjerë, e këta nga Ebu Esvedi se Urve tregon: “Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) bëri haxh me ne, ndërkohë e dëgjova duke thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Allahu nuk e largon diturinë duke e hequr atë përnjëherë nga njerëzit, pasi ua ka dhënë atë, mirëpo e largon atë nëpërmjet vdekjes së dijetarëve bashkë me diturinë që kanë, kështu që do të mbesin injorantët, të cilët, kur pyeten, japin përgjigje nga mendja e tyre (pa dije fetare). Kështu, devijojnë veten dhe të tjerët.”
Urve shton: “Këtë hadith ia tregova Aishes, gruas së Pejgamberit ﷺ dhe, kur Abdullah ibn Amri sërish bëri haxh, ajo më tha: “O djali i motrës sime, shko tek Abdullahu dhe ma vërteto atë që ma ke transmetuar prej tij.” Unë shkova ta pyes dhe ai prapë m'i tha të njëjtat fjalë. Kur u ktheva tek Aishja dhe i tregova, ajo u mahnit dhe tha: “Për Allahun, Abdullah ibn Amri e paska mbajtur në mend mirë.”