Sahihu i Buhariut — Hadithi 7350
20. Nënkapitulli: Nëse përgjegjësi a gjykatësi përpiqet (t’ia qëllojë), porse gabon pa dije, duke e kundërshtuar Pejgamberin ﷺ, atëherë gjykimi i tij refuzohet.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që punon një vepër që nuk përkon me praktikën tonë, i refuzohet."
7350. Nga: Ebu Seid Hudriu - Ebu Hurejra
7350. 7351. Ismaili transmeton nga vëllai i tij, e ky nga Sulejman ibn Bilali, e ky nga Abdulmexhid ibn Suhejl ibn Abdurrahman ibn Aufi, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Musejebin duke treguar se Ebu Seid Hudriu dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmetojnë se i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një burrë ensar nga fisi benu adij dhe e caktoi mëkëmbës të Hajberit, i cili i solli hurma të majme. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha:
- “A janë të gjitha hurmat e Hajberit kësisoj?”
- Jo, o i Dërguari i Allahut, betohem në Allahun, ne blejmë një saë hurmash të këtilla me dy saë hurmash (të dobëta).
- “Mos veproni kështu! Porse (blini) një për një, ose shitni këto dhe me vlerën e tyre blini të tjerat. Të njëjtën gjë veprojeni me çdo gjë që peshohet”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.”