Sahihu i Buhariut — Hadithi 7353
22. Nënkapitulli: Argumenti i atij që thotë: "Dispozitat e Pejgamberit ﷺ kanë qenë të qasshme për të gjithë; si dhe mungesa e disa sahabëve në ngjarjet me Pejgamberin ﷺ ose gjatë ligjësimit të çështjeve të Islamit
7353. Nga: Ebu Musa Eshariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka treguar Atai se Ubejd ibn Umejri tregon se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i kërkoi leje Omerit për të hyrë, por iu duk se ishte i zënë, andaj u kthye.
Pastaj Omeri tha:
- A mos e dëgjova zërin e Abdullah ibn Kajsit? Jepini leje që të hyjë.
E, kur e thirrën atë, Omeri e pyeti: “Pse veprove kështu (pse u ktheve)?”
- Kështu jemi urdhëruar (të veprojmë), - tha Ebu Musai.
- Më sill një argument për këtë, ose do të veproj me ty (kështu e kështu), - i tha Omeri.
Ebu Musai shkoi te një ndejë e ensarëve (për të kërkuar dëshmitarë), ndërsa ata i thanë:
- Për këtë le të dëshmojnë më të vegjlit prej nesh.
Ebu Seid Hudriu u ngrit dhe tha: “Kështu jemi urdhëruar.”
Atëherë Omeri tha: “Më paska ikur kjo gjë prej praktikës së Pejgamberit ﷺ. Më ka hutuar tregtia nëpër tregje.”