Sahihu i Buhariut — Hadithi 7357
24. Nënkapitulli: Dispozitat që njihen përmes argumenteve dhe si kuptohet argumentimi e sqarimi i tij?
Pejgamberi ﷺ e sqaroi dispozitën e kuajve dhe gjërave të tjera e pastaj kur u pyet për gomarët, ai i argumentoi me Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7) Po ashtu, kur Pejgamberi ﷺ u pyet për zvarranikun e quajtur dab, tha: “Unë nuk e ha, por as e ndaloj atë.” Dabin e patën ngrënë në sofrën e Pejgamberit ﷺ, kështu që Ibn Abasi me këtë argumenton se nuk është haram.
7357. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Mensur ibn Safija, e ky nga nëna e tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua e pyeti Pejgamberin ﷺ si të pastrohet nga menstruacioni. Ai iu përgjigj: “Merr një copë pëlhure të parfumuar dhe pastrohu me të.”
- Si të pastrohem me të, o i Dërguari i Allahut? - pyeti sërish ajo.
- “Pastrohu”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Po si të pastrohem me të, o i Dërguari i Allahut? - pyeti sërish ajo.
- “Pastrohu me të”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Aishja tha: “Unë e kuptova çfarë kishte për qëllim i Dërguari i Allahut, andaj e tërhoqa atë (grua) nga vetja dhe e mësova.”