Sahihu i Buhariut — Hadithi 7359

24. Nënkapitulli: Dispozitat që njihen përmes argumenteve dhe si kuptohet argumentimi e sqarimi i tij?

Pejgamberi ﷺ e sqaroi dispozitën e kuajve dhe gjërave të tjera e pastaj kur u pyet për gomarët, ai i argumentoi me Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zelzele, 7) Po ashtu, kur Pejgamberi ﷺ u pyet për zvarranikun e quajtur dab, tha: “Unë nuk e ha, por as e ndaloj atë.” Dabin e patën ngrënë në sofrën e Pejgamberit ﷺ, kështu që Ibn Abasi me këtë argumenton se nuk është haram.

7359. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Ata ibn Ebu Rabahu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që ha hudhër ose qepë, të mos na afrohet, - ose ka thënë: të mos i afrohet xhamisë sonë, - dhe le të qëndrojë në shtëpinë e vet.”
Pejgamberit ﷺ i sollën një enë rrethore, - Ibn Vehbiu thotë: “Është për qëllim një pjatë me bishtaja (të gatuara)”, - i cili, me t'i nuhatur erën, pyeti çfarë kishte në të. Kur i treguan se kishte bishtaja, tha: “Afrojani!” Atëherë ata ua afruan disa shokëve të tij, që ishin me të. Kur (njëri prej tyre) pa (se Pejgamberi ﷺ e refuzoi), hezitoi të hante. Pejgamberi ﷺ tha: “Ha, sepse unë flas me atë që ti nuk flet (me Xhibrilin).”

Ibn Ufejri transmeton nga Ibn Vehbiu se ka thënë: “(I sollën) një tenxhere me bishtaja.” Ndërkaq, Lejthiu dhe Ebu Safvani nuk e përmendën çështjen e tenxheres në transmetimin e tyre nga Junusi, andaj nuk e di nëse është fjalë e Zuhriut apo pjesë e hadithit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7359

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?