Sahihu i Buhariut — Hadithi 7367
27. Nënkapitulli: Atë që Pejgamberi ﷺ e ka ndaluar konsiderohet haram, përveç nëse dihet se është e lejuar
E edhe urdhri i tij, sikurse që u tha atyre të cilët u liruan nga ihrami: “Bëni marrëdhënie me gratë.” Xhabiri ka thënë: "Nuk ka qenë detyrim, porse ua ka lejuar gratë atyre." Umu Atija ka thënë: "Na është ndaluar (femrave) përcjellja e xhenazes, por jo rreptësisht."
7367. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Mekij ibn Ibrahimi transmeton nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka thënë Atai, e ky nga Xhabiri. Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: Muhamed ibn Bekri ka thënë: Na ka treguar ibn Xhurejxhi se Atai tregon: “Teksa Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ishte me disa njerëz, tha: “Ne, shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ, hymë në ihram vetëm për haxh, pa umre. Pejgamberi ﷺ erdhi mëngjesin e ditës së katërt të dhul hixhes (në Mekë). Kur arritëm, Pejgamberi ﷺ na urdhëroi të lirohemi nga ihramët dhe tha: “Lirohuni nga ihramët dhe (mund të) bëni marrëdhënie me gratë (tuaja).”
Xhabiri thotë: “Nuk ka qenë detyrim, porse ua ka lejuar gratë atyre.”
Ai vazhdon: “Pejgamberi ﷺ u informua se ne po themi: “Nuk na kanë mbetur as pesë ditë deri në Arafat dhe ai po na urdhëron të lirohemi (nga ihramët) për gratë tona e të shkojmë në Arafat, ndërkohë kemi bërë marrëdhënie intime?!” - dhe Xhabiri bënte me dorë duke e lëkundur. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe tha: “Ju e dini se unë jam më i devotshmi, më i sinqerti dhe më vepërmiri ndaj Allahut. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha prej ihramëve siç liroheni ju, andaj lirohuni. Sikur të mund të kthehesha mbrapa, do të veproja ndryshe: nuk do ta merrja kurbanin me vete.” Kështu, ne u liruam prej ihramëve, dëgjuam dhe u bindëm.”